Would you like to feature your art here

Submit your works today

Secure payments

PayPal, Bank Transfer, Cash on Delivery.

Email & Chat support

Click chat below

Nje artikull nga Artan Shabani

Piktura në Shqipëri është një simbiozë e natyrshme e së tashmes me të shkuarën, është kërkim i fuqishëm, që nxitet nga brendësia ndjesore e shoqërisë së saj, ku artistët e vet, qofshin dhe në mosha të reja i kthejnë impulset nxitëse në imazhe, të cilat ende në të shumtën e rasteve janë figura të gjuhëve të pikturës moderne.

Roland Runaj është një prej artistëve qe  shquhet për një proces aktiv në pikturën e zhvilluar në hyrje të shekullit 21. Ajo është e përbërë nga shumë imazhe, në dukje të shkëputura nga njëra-tjera. Por tërësia e tyre imagjinative, i bëhet e qartë publikut, pasi përmes elementeve të pikturës shpalos ngacmimet ekpresive, të cilat artisti i merr prej fakteve dhe subjekteve të së shkuarës sonë. Piktori Runaj nuk është indiferent ndaj saj, madje duket se kërkon ta risjellë e ta bëjë të pranishme për shumë arsye, të cilat lidhen me individin që tenton të rritet edhe më i ndërgjegjësuar. Tenton të lidhet me shoqërinë tonë në zhvillim, të cilën e përshkruan si harresa dhe memoria ndaj kolektivitetit dhe liderit komunist, ashtu dhe problematikat e thella sociale të ekzistencës në brendësi të botës së krimit, dhunës, racizmit, unit makiavelist, seksit, luftës, nënvleftësimit e arrogancës.

E gjithë kërshëria piktorike e Roland Runaj vërtitet tek marrëdhënia e teksturës piktorike dhe e subjekteve të tij. Jo pa arsye ai ka zgjedhur të veçojë  teksturën si një element, që ka organizuar formën e përmbajtjes. Jo pa arsye ai e ka sjellë atë në vemendjen e tij, por edhe tonën, duke na treguar se ideologjia komuniste ishte propaganda dhe censura, apo kontrolli dhe vetkontrolli, të cilat askush nuk e shfaqur texturen reale. Sot ne kërkojmë, si njerëz të botës , që të prekim dhe njihemi me realen, pra teksturën që formon imazhin e individit dhe të shoqërisë. E kjo teksturë bëhet e dukshme dhe vjen në sipërfaqe e detajuar prej brumit përbërës të fenomenit, individit apo shoqërisë së epokave të ndryshme. Ky është një fenomen që e shqetëson artistin, i cili përpiqet që përmes pikturës së tij të na e tregojë.

Piktori në mënyrë selektive tregon se e vlerëson të shkuarën e tij të re, por edhe të shkuarën e vjetër të shoqërisë shqiptare. Madje ai sheh dhe veçon çaste të ndryshme të historisë sonë, ku disa prej tyre kanë ende ndikim mbi shoqërinë dhe individin shqiptar. Disa herë figura e tij tenton të tregojë sesi ata i nënshtrohen efektit të tyre dhe në ditët e sotme.  Runaj, përmes qartësisë së ideve të veta, konkludon se piktura e tij i përket një rishikimi imagjinar, social e politik të shoqërisë kaotike shqiptare, e cila do të jetë edhe për disa dhjetra kohë një e tillë. E kjo në arsye të ndryshimeve konkrete, të përditshme dhe të domosdoshme që ndodhin dhe duhet të ndodhin mbi shoqërinë shqiptare, e cila kaloi plot probleme të rënda nga komunizmi në kapitalizëm, nga një shoqëri e veçuar, e mbyllur në një shoqëri të hapur dhe globale. Në këtë arsye dallojmë çaste të prerjes së shiritave, të ekzistencës së munumenteve dhe të parakalimit të liderit ushtarak.

Roland Runaj ka një pasuri të lindur së bashku me të. Ajo është ngjyra, e cila sillet si personazhi kryesor në pikturë dhe të cilën ai e përdor për të theksuar personazhet në sipërfaqen e saj.  Personazhet në pikturën e tij janë kaq evidente sa na bindin mbi selektimin e fakteve sociale dhe historike të së shkuarën sonë. Ata janë të pranishëm si një afrim në kujtesën tonë të sotme. Ata na kujtojnë individin e lënë diku në qoshet e ndërgjegjes së gjithësecilit prej nesh, që u modelua me buzëqeshjen e ndërgjegjes kolektive dhe mjeteve të propagandës komuniste.  Personazhet e punës të pikturuara shkathët, shpejtë, pa shumë detaje tregojnë remineshencën e kohës sonë me individin e së shkuarës, i cili kërkon edhe disa kohë që të harrohet apo të transformohet në një individ tjetër, i cili do të braktisë maskën e një buzëqeshjeje të pakuptimtë dhe do të lodhet në punën e mirëqënies vetjake, për tu rregjistruar si përvojë njerëzore.  Artisti sjell në kujtesë, personazhe pa sy ose me sy të mbyllur, një veçori tipike të kohës së njeriut në ditët e sotme, ku potenciali teknologjik ka përfshirë të gjitha fushat e zhvillimit dhe e ka kthyer njeriun si një makinë të vendosur para një ekrani të madh të botës kompjuterike, e ka berë më të ftohtë dhe e ka veçuar, kryesisht, nga bota natyrore.

Nëse tema dhe subjektet e Roland Runaj janë përmbajtja e pikturës së tij, nese personazhet janë ndjesitë tona dhe të tij mbi të shkuarën dhe të tashmen, piktura apo produkti i tij artistik është kërkimi i përditshëm rreth teksturës apo pasurisë së detajeve mbi realen, apo të ekranit të madh ku është edhe e vërteta.

 

 

Artan SHABANI

Loved this? Spread the word


About the Author

Artan Shabani